AlbanianSport.com 31.05.2015 13:25
ASNN – Pasi është konfirmuar në postin e presidentit të FIFA-s, Sep Blater ka marrë zemër dhe ka nisur një sulm ndaj gjithë atyre që sipas tij u munduan ta rrëzojnë nga “froni”. “Askush nuk mund të më thotë se ishte një rastësi e thjeshtë që dy ditë para zgjedhjeve për kreun e FIFA-s u arrestuan disa zyrtarë të lartë të saj, – ka deklaruar ai gjatë konferencës së djeshme për shtyp. – Kjo histori vjen erë, sepse më ka prekur direkt mua dhe FIFA-n.”
“Jo vetëm që u përpoqën të më denigronin, por gjithashtu e përdorën momentin për të më thënë “erdhi koha të largohesh”, – ka vijuar plakushi zviceran. – Më pas thanë, “Do të bojkotojmë kongresin”. Por ku jemi, ku është loja e ndershme dhe sportiviteti? Amerikanët ishin kandidatë për Kupën e Botës 2022 dhe humbën. Anglezët ishin kandidatë për 2018 dhe humbën, ndaj në të vërtetë ishte një lëvizje amerikane dhe angleze.”
“Nëse ka krime financiare të kryera nga qytetarë amerikanë, përse i arrestojnë në Zyrih, pikërisht para kongresit? – ka vijuar presidenti 80 vjeçar i FIFA-s. – Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sponsori kryesor i Jordanisë. Kjo çështje korrupsioni është mes Amerikës së Jugut dhe asaj të Veriut, por e sollën në Zyrih dhe thanë që është e FIFA-s.” Më pas, Blater ka sulmuar edhe UEFA-n: “E gjithë UEFA nuk e pranon faktin që unë jam president prej vitit 1998”. “
Unë i fal të gjithë, por nuk harroj. UEFA mund të tërhiqet nga Botërori 2018? Ne nuk jetojmë dot pa UEFA-n, por edhe UEFA nuk jeton dot pa ne”, – ka përfunduar Blater.