AlbanianSport.com 30.05.2015 07:55
ASNN – Zyra e Prokurorit të Beogradit ka çliruar nga akuzat kriminale huliganin famëkeq Ivan Bodganov, i cili ishte marrë nën hetim në lidhje me incidentet që ndodhën në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në stadiumin e Partizanit të Beogradit në 14 tetorin e vitit të kaluar. Lajmi u bë i ditur nga agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, që njoftoi se vepra penale për të cilën hetohej Bogdnovi ka rënë poshtë dhe çështja e tij tashmë është dërguar në gjykatë jo më si një vepër penale, por si kundërvajtje.
Prokuroria serbe bëri të ditur se kundër Bogdanovi kishin nisur hetimet paraprake për veprën penale të sjelljes së dhunshme në veprimtari sportive, por ajo ka arritur në konkluzionin se nuk është kryer një vepër penale. Hetimet për të njëjtën akuzë kanë nisur dhe për Nenad Iliçin por ndaj tij janë ende në vazhdim. Prokuroria serbe konfirmon në këtë mënyrë vullnetin për të mos dënuar autorët e dhunës së paprecedent që ndodhi në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Shfaqja e Bogdanovit në fushë në atë takim tronditi opinionin publik ndërkombëtar duke qenë se huligani famëkeq ishte dënuar më parë për aktet e tij të dhunshme dhe ndërprerjen e ndeshjes mes Italisë dhe Serbisë në Stadiumin “Marasi” të Xhenovës në 2010. Bogdanov, i cili në atë rast dogji në mënyrë publike flamurin shqiptar u dënua me 3 vjet e 3 muaj burg nga autoritetet italiane, por më pas u deportua në Serbi, ku u la i lirë.
Me sa duket, ai ka dhe mbështetjen e autoriteteve serbe për të vijuar veprimtarinë e tij famëkeqe. Në ndeshjen e kthimit në Shqipëri, me siguri që Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të pranojë asnjë tifoz serb, në mënyrë që të evitohen përplasjet. Por edhe për t’iu kthyer “hakun” federatës serbe që nuk lejoi shqiptarët në stadium. Sidoqoftë, kjo gjë nuk është vendosur ende dhe do të shqyrtohet në muajt e ardhshëm. Kjo ndeshje pritet me mjaft interes jo vetëm nga tifozët e skuadrës tonë kombëtare dhe të dy federatat përkatëse, por edhe nga shtypi sportiv evropian e më gjerë.