Adriatik Balla 29.05.2015 20:25
Një nga futbollistët më të mirë të këtij sezoni në ka mpionatin shqiptar të Kategorisë Superiore ishte mbrojtësi kosovar Amir Rrahmani, i cili u shpall edhe “Talenti i sezonit” 2014-2015. Natyrisht ky është një vlerësim serioz, duke pasur parasysh një kampionat të rivalizuar e me shumë pretendime, jo vetëm për Partizanin, por në tërësi për Superioren.
Por kosovari do të largohet nga klubi i kuq dhe këtë e paralajmëroi edhe dje, duke thënë se i kanë mbërritur oferta serioze nga klube të huaja, duke mos e përjashtuar firmën me
klubin e Splitit në kampionatin kroat. Kështu, pas dy sezoneve te Partizani ku është konfirmuar si një nga mbrojtësit më të mirë të Kategorisë Superiore, për Amir Rrahmanin kanë filluar të bien kambanat e klubeve të huaja që kanë shfaqur interes të lartë për kapitenin e Shpresave të Shqipërisë.
21-vjeçari i lindur në Prishtinë e pranon se ky ndoshta ishte sezoni i fundit me fanellën e
kuqe, duke theksuar se gjatë ditëve të ardhshme do të bëjë të ditur destinacionin e tij të ardhshëm. “Oferta nga RNK Split ka ardhur që në muajin janar, por një vendim do ta marr gjatë ditëve në vazhdim dhe do ta bëj publik”, – u shpreh Rrahmani. Ai shton se kontrata e tij me Partizanin ka mbaruar por kjo nuk do të ndikojë në vendimin e tij.
“Unë jam një lojtar i lirë në këto momente, por, me presidentin do të diskutoj për të ardhmen dhe do të marrim një vendim bashkë”, – theksoi më tej mbrojtësi kosovar. Në vijim, mbrojtësi i jep një notë sezonit të Partizanit, duke e pranuar se skuadra e arriti objektivin që ishte zona evropiane. “Objektivi kryesor ishte kualifikimi për në zonën e Kupave të Evropës, por nuk e mohoj që titulli kampion do të ishte një arritje e madhe për ne”, – shtoi Rrahmani.
Prurjet e futbollit kosovar drejt Kategorisë Superiore e kanë rritur cilësinë e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe 21-vjeçari shpreson që, me njohjen nga ana e FIFA-s, Kosova të ndërtojë një skuadër të fortë në të ardhmen, ndërsa futbolli i vendlindjes t’i ngjisë me shpejtësi shkallët e arenës ndërkombëtare.