AlbanianSport.com 29.05.2015 11:15
ASNN – Në Lojërat Evropiane të Bakusë do të ketë dy vëllezër që përfaqësojnë dy shtetet shqiptare dhe kjo është padyshim unikale në botë. Vëllezërit nga Prizreni, Egzon dhe Edon Shala, do të ndahen në “Baku 2015”, pasi njëri do ta përfaqësojë Shqipërinë, kurse tjetri Kosovën. Emocionet i kanë kapluar që të dy, me të cilët krenohet babai i tyre. Kosova e ka furnizuar vazhdimisht Shqipërinë me sportistë spikatur dhe rasti i Egzon Shalës është njëri nga të shumtët kur një sportist nga Kosova, e përfaqëson Shqipërinë.
Mirëpo, rasti i mundësit prizrenas është mjaft i veçantë dhe i rrallë. Ndërsa 24-vjeçari do ta përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, vëllai i tij, Edoni, është pjesë e kontingjentit të Kosovës, në evenimentin që do të mbahet muajin e ardhshëm në Azerbajxhan. “Mua më vjen shumë mirë që edhe vëllai im, Edoni, do të marrë pjesë në Baku, – ka deklaruar Egzoni. – Ai do ta përfaqësojë Kosovën, por ne po stërvitemi së bashku, në Prizren dhe Bullgari, për t’u përgatitur sa më mirë për Lojërat Evropiane. Uroj që Edoni të ketë sukses në Baku.”
“Shpresoj që Egzoni të jetë i suksesshëm dhe të fitojë medalje në Baku, do të më bëhej qejfi shumë”, – thotë nga ana tjetër Edoni, i cili është njëri nga tre mundësit kosovarë që do të garojë në Baku. Të dy vëllezërit tregojnë se përse vendosën që njëri ta përfaqësojë Kosovën, e tjetri Shqipërinë. “Unë e kam përfaqësuar Shqipërinë, por pas pranimit të Federatës së Kosovës, vendosa ta zgjedh Kosovën, pasi si fëmijë e kam ëndërruar këtë dhe ne jemi rritur në këtë vend”, – thekson vëllai i vogël i familjes Shala, Edoni.
“Është një ndjenjë e veçantë që do të marr pjesë në Baku me Shqipërinë. Me këtë rast, unë do ta kem mundësinë t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe gjithandej ku ka shqiptarë. Do ta përfaqësoj Shqipërinë edhe në Olimpiadën e Rios, e më pas të shohim”, – shpjegon Egzoni, i cili mburret me faktin se në Kampionatin Mesdhetar, të mbajtur në Beograd, kishte fituar vendin e parë dhe se ishte kënduar himni kombëtar, të cilin e kishte shijuar me flamurin kuqezi. Babai i tyre, Sulejman Shala, ndihet krenar me djemtë e tij.
Madje, ai insiston se zgjedhja e tyre që t’i përfaqësojnë dy shtete shqiptare, është e pranueshme. “Jam krenar dhe i sfiduar. Zgjedhja e tyre është e pranueshme, më e mira e mundshme, pasi do t’i kemi përfaqësues të të dyja shteteve. Shpresoj të arrijnë suksese, cilido prej tyre”, deklaroi Shala i madh për gazetat kosovare. Egzoni dhe Edoni do ta nisin eksperiencën në Baku më 17 qershor. Vëllezërit Shala do të shkojnë në kryeqytetin azer për të qenë të suksesshëm dhe pse jo, për tu sjellë medalje vendeve të tyre.
“Gjithsesi, do të mundohem t’ia sjell popullit tim një medalje, të parën në këtë eveniment”, – shprehet Egzoni. “Unë i kam bërë të gjitha përgatitjet dhe në Baku do ta bëj më të mirën, shpresoj të kem sukses. Do t’i kemi edhe dy turne, për të bërë përvojë, para se të shkojmë atje”, – vijon Edoni. Ata tregojnë se nuk mund të përballen me njëri-tjetrin në Baku, pasi Egzoni garon në kategorinë e peshës trupore deri në 125 kilogramë, ndërsa në kategorinë e peshës trupore deri në Edoni në 97 kilogramë.