Gjergj Vyshka 29.05.2015 07:55
Amir Rrahmani, mbrojtësi i Partizanit dhe Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, është talenti i sezonit për 2014-2015. Ky ka qenë verdikti i votimeve nga trajnerë dhe nga gazetarë sportiv, të cilët kanë bërë të mundur që, për të shtatin vit radhazi, shoqata “Sporti na Bashkon” të përcaktojë më të mirët e sezonit 2014-2015. Ndonëse përgjatë vitit kishte shpallur 8 futbollistët më të mirë të muajit, kurorëzimi i gjithçkaje ishte ceremonia e djeshme, e cila është zhvilluar në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.
Janë dy çmime të treta, dy çmime të dyta, një çmim i parë, dy çmime merite dhe një Fair-Play. Nën drejtimin e gazetarit të Programacionit të Radio-Televizionit Shqiptar, Alban Hasani, gjithçka ka marrë formën e këtij spektakli. Një event që ka pasur sponsorizimin e shumë firmave. Sigurisht që fjala e parë i ka takuar presidentit të shoqatës “Sporti na Bashkon”, Leka Kosta, i cili ka përshëndetur të gjithë të pranishmit e më pas ka bërë një përmbledhje të veprimtarisë.
Por premtimi i tij është shtrirja e kësaj veprimtarie në promovimin dhe përkujtimin e figurave të mëdha sportive, apo dhe shtrirje në sportet e tjera. E në fund ka mbyllur gjithçka sekretari i shoqatës Gëzim Nushi, që ka ftuar të gjithë të pranishmit që të bëjnë një foto të përbashkët. Amir Rrahmani ka qenë “mbreti” i aktivitetit e pas tij janë nderuar Liridon Latifi, Devis Bregu, Myrto Uzuni, Realdo Fili, Orges Shehi, Mirel Josa, klubi Internacional. Por ata që erdhën për të dhënë çmimin ishin figura të nderuar të sportit shqiptar.
Që nga Mikel Janku tek Fatmir Mëneri, e më pas Ahmet Shqarri, Sulejman Demollari, Roberto Nava, Hito Hitaj e në fund Miço Papadhopulli. Një event i tillë duket se ka shuar sado pak jehonën e politikës që ka pushtuar vendin, apo dhe të krimit që ndodhi në Tiranë, ndërsa për një çast të gjithë u përqendruan tek sporti. Nëse në këtë veprimtari kanë qenë të pranishëm drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ata që kanë munguar kanë përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, apo dhe të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.