AlbanianSport.com 28.05.2015 21:45
ASNN – Mbyllja e edicionit të 76-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka bërë që gjeografia e përfaqësimit, sidomos në Kategorinë Superiore, të ndryshojë dukshëm. Ndërkohë, edhe për vetë formulën, që ka parashtruar ndarje në dy grupe, atë të Veriut dhe atë të Jugut, është mjaft më e baraspeshuar gjeografia e nivelit të dytë të Kampionatit, që njihet si Kategoria e Parë.
Kampionati Kombëtar i Futbollit ka mbyllur tashmë zyrtarisht sezonin, duke dhënë verdiket e tij, verdikte këto të cilat kanë riformatuar edhe shtrirjen gjeografike të tij. Kjo bie në sy sidomos në nivelin më të lartë të këtij kampionati, në Kategorinë Superiore, ku, me rënien në Kategorinë e Parë të Elbasanit, por edhe Apolonisë, si rrallëherë, fjalën e ka marrë gjysma e sipërme e hartës së Shqipërisë.
Aktualisht, përfaqësuese të gjysmës së poshtme, asaj jugore, ka mbetur vetëm kampionia në fuqi, Skënderbeu, ka mbetur Flamurtari si dhe skuadra e Bylisit, e rikthyer nga Kategoria e Parë në atë Superiore. Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrave nis me kryeqytetin, ku ka mbetur vetëm dyshja historike, Tirana dhe Partizani, duke vijuar më pas me skuadrën bregdetare të Teutës, dhe duke u ngjitur më pas drejt Veriut, me finalisten e Kupës së Shqipërisë, Laçin.
Pas kurbinasve vjen skuadra që shkroi historinë, duke u ngjitur për herë të parë në nivelin më të lartë, Tërbuni i Pukës, për t’ia lënë vendin përfaqësueses historike të Veriut, Vllaznisë së Shkodrës, si dhe risisë së këtyre viteve të fundit, Kukësit, që do të synojë këtë sezon trofeun e parë në histori, kur të ndeshet me Laçin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Siç shihet, edhe finalen e Kupës do ta diskutojnë dy skuadra që i përkasin gjysmës së Shqipërisë mbi lumin Shkumbin.
Ndërkohë, edhe për vetë formulën e vet, që ka parashtruar ndarje në dy grupe, atë të Veriut dhe atë të Jugut, është mjaft më e baraspeshuar gjeografia e nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë. Ajo që bie në sy në këtë nivel, është se në të lëngojnë ekipe që kanë spikatur në futbollin shqiptar, të tillë si Elbasani, Besa apo Besëlidhja në grupin A, apo Dinamo, Apolonia, Lushnja dhe Luftëtari në grupin B.
Kategoria Superiore
Skënderbeu
Flamurtari
Bylis
Tirana
Partizani
Teuta
Laçi
Tërbuni
Vllaznia
Kukësi
Kategoria e Parë
Grupi A
Elbasani
Besëlidhja
Mamurrasi
Iliria Fushë-Krujë
Kastrioti Krujë
Burreli
Kamza
Ada Velipojë
Besa Kavajë
Korabi
Grupi B
Apolonia
Lushnja
Butrinti
Sopoti
Luftëtari
Dinamo
Shkumbini
Pogradeci
Gramshi
Erzeni