Adriatik Balla 28.05.2015 10:45
Trajneri Xhovani de Biazi pritet të zbulojë javën e ardhshme listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjen miqësore me Francën dhe ka lënë të hapur mundësinë e ftesave për disa lojtarë të rinj, por pa dhënë detaje rreth tyre. Kuptohet, ai ka rinovuar me më shumë se 50% ekipin në tre vjetët e fundit dhe ka premisa ta rinovojë tërësisht deri në fund të këtij edicioni, me bindjen se kjo skuadër do të jetë në gjendje të garojë si duhet në fazën eliminatore.
Natyrisht, ambicia më e madhe mbetet kualifikimi për në fazën finale të Evropianit, ndërsa ecuria e deritanishme e Kombëtares në Grupin I të Eliminatoreve, ka qenë mjaft e mirë. Lidhur me ftesat ndaj të rinjve ka drojë, por në të njëjtën kohë janë bërë përpjekje qoftë nga De Biazi, qoftë nga zyrtarët e FSHF-së, për të afruar elementët shqiptarë më cilësorë që luajnë në kampionatet e huaja, kryesisht ato evropiane. Një nga elementët që po përflitet këto ditë për të marrë pasaportën shqiptare dhe për të luajtur me ngjyrat kuqezi është shqiptari nga Maqedonia, Valmir Nafiu
Ky i fundit ka qenë deri tani pjesë e skuadrave të moshave të Maqedonisë. Duke u kthyer tek ftesat e mundshme të trajnerit Xhovani De Biazi, ende nuk ka ndonjë sinjal nga FSHF se kujt mund t’i kenë shkuar këto ftesa, pasi dihet që trajneri italian i përfaqësueses kuqezi i ka qejf surprizat dhe zbulimet e emrave ndodhin vetëm në momentin fundit para ndeshjeve.
Miqësorja me Francën është një mundësi e madhe për të gjithë lojtarët dhe për ekipin në tërësi, pasi do të tregojë forcën e skuadrës tonë dhe nëse është në gjendje ajo t’i mbyllë me sukses këto eliminatore.