Adriatik Balla 28.05.2015 09:50
Kukësi është në kërkim të trofeut të parë në historinë e klubit, teksa të premten ka mundësinë për të triumfuar në finalen e dytë radhazi në Kupën e Shqipërisë. Dështimi në finalen e kaluar ndaj Flamurtarit i hoqi mundësinë verilindorëve të kurorëzonin ëndrrën, për të çuar në qytetin e vogël trofeun e parë të madh. Megjithatë në skuadër nënkampionët e vendit kanë futbollistë që në të shkuarën kanë triumfuar në veprimtarinë e dytë të rëndësishme të futbollit në vend.
Plotë 5 futbollistë e kanë fituar në të shkuarën këtë trofe, të ndarë në kohë dhe në skuadra të ndryshme. Kapiteni Rrahman Hallaçi, sulmuesi Pero Pejiç dhe zëvendëstrajneri Ivan Gvozdenoviç kanë qenë pjesë e Tiranës që në 22 majin e vitit 2011 triumfoi në finalen ndaj Dinamos, të luajtur në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Pejiç dhe Gvozdenoviç ishin pjesë e formacionit dhe luajtën për 120 minuta të plota, ndërsa Hallaçi nuk arriti të fitonte konkurrencën për një vend në krah të mbrojtjes.
Madje kroati Pejiç shënoi golin e barazimit për të realizuar një tjetër në serinë e goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave. Ndërkohë Gledi Mici dhe Hair Zeqiri kanë triumfuar edicionin e kaluar në finalen e luajtur pikërisht ndaj Kukësit. Mbrojtësi 24-vjeçar nuk luajti në finale për shkak të dëmtimit në shpatull, por ishte shumë i rëndë sishëm për ecurinë e Flamurtarit deri në sfidën e fundit të edicionit. Ndërkohë mesfushori Zeqiri luajti për 90 minuta të plota dhe në fund ishte në fushë për të ngritur trofeun.