AlbanianSport.com 28.05.2015 07:05
ASNN – Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka luajtur të mërkurën në mbrëmje aktin e saj në final, duke kurorëzuar si fituese skuadrën e Seviljes, e cila ka triumfuar ndaj Dnjeprit të Dnjepërpetrovskit me rezultatin 3-2. Në takimin e zhvilluar në Stadiumin Kombëtar të Varshavës në Poloni, spanjollët dhe ukrainasit kanë dhuruar spektakël në pjesën e parë, duke shënuar plot 4 gola.
Dnjepri kaloi i pari në epërsi, pas vetëm 7 minutash lojë, por Sevilja është kundërpërgjigjur pas një gjysmë ore lojë, duke përmbysur gjithçka me dy gola të shpejtë, të realizuar në minutat 28 dhe 31. Megjithatë, pjesa e parë do të mbyllet në barazim 2-2, pasi kapiteni i Dnjeprit, Rotan, do të ekzekutojë mjeshtërisht një goditje të lirë, duke mposhtuar portierin spanjoll dhe duke përshnëdetur rrjetën.
Pjesa e dytë do të flasë më tepër për Seviljen, e cila do të gjejë edhe golin e fitores, me anë të kolumbianit Baka, dhe do sigurojë trofeun e fitueses së Ligës së Evropës. Ky është trofeu i katërt evropian për skuadrën spanjolle, e cila, bashkë me të siguron edhe të drejtën për të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve sezonin e ardhshëm.