Adriatik Balla 27.05.2015 20:45
Në FSHF është hedhur shorti për të përcaktuar skuadrën pritëse të finales së Kupës së
Shqipërisë që është programuar për këtë të premte dhe ky nder i takon nënkampionëve të Shqipërisë, Kukësit. Sidoqoftë, përcaktimi i skuadrës pritëse ka të bëjë vetëm me modalitetet, pasi takimi luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, si dhe faktori fushë nuk ka të bëjë me shpërndarjen e biletave që do të jenë në kuota të barabarta 50 me 50 për të dyja skuadrat.
FSHF ka përcaktuar madje edhe sektorët e rezervuar për dy tifozeritë përkatëse duke konfirmuar lënien bosh të sektorit D-2 për të krijuar një hapësirë mes ty tifozerive. Një vendim i tillë është marrë si masë parandaluese për incidentet e mundshme, por historia tregon se një veprim i tillë nuk ndihmon estetikisht krijimin e një mjedisi të denjë për një finale dhe shembulli ka qenë pikërisht një finale Kupe, Tirana-Skënderbeu, e edicionit 2011-2012.
Ende nuk është përcaktuar ndërkohë çështja më e mprehtë që ka të bëjë me takimin, është trupa gjykuese që do të ketë përgjegjësinë për të bërë drejtësi. Pavarësisht kërkesës fillestare të Kukësit për një treshe gjyqtarësh të huaj, në Federatën Shqiptare të Futbollit duken të orientuar për një trupë gjyqtarësh shqiptarë, çka do të ishte në të njëjtën kohë edhe një shpërblim për xhaketat e zeza në përfundim të një sezoni, që evidentoi rritjen e nivelit të tyre me pakësimin e vendimeve të kontestueshme.