Adriatik Balla 27.05.2015 19:50
Sulmuesi Edmond Kapllani është përfshirë në “Elf des Tages” (11-shi i javës) së Bundesligës së 2-të Gjermane, pas fitores emocionale, 3-1, që FSV Frankfurti arriti në fundjavë kundër Fortunës së Dyseldorfit. Edhe Jurgen Gjasula i 1860 Mynihut ishte në formacionin e javës. Edmond Kapllani shënoi dy gola në atë takim, të cilët garantuan edhe qëndrimin në kampionat në sezonin 2014-2015 të skuadrës ku militon edhe Odise
Roshi.
Për sulmuesin durrsak kjo ishte hera e dytë që ai përfshihet në “formacionin ideal të javës” në Bundesligën e 2-të, pasi më parë ishte në javën e 23-të, kur shënoi dy gola në barazimin 3-3 të FSV Frankfurtit ndaj Bokumit, në fushën e kësaj të fundit. Edhe gazeta lokale “Frankfurter Neue Presse” e përfshiu Kapllanin në kategorinë “stark” (i fuqishëm), duke theksuar se “lojtari i Kombëtares shqiptare bëri një paraqitje të cilën nuk e kishim parë këtë sezon, duke i thurur lavde për golat e tij.
Kapllani ka shënuar këtë sezon 11 gola në kampionat dhe 2 gola në Kupën e Gjermanisë. Bluza origjinale e Kapllanit, që ai veshi në ndeshjen jashtë fushe në barazimin 3-3 të FSV Frankfurt kundër VfL Bokum është në një ankand që u mbyll dje (26 maj, 21:30). Kjo është bluza e dytë e FSV Frankfurtit, e kuqja, dhe është nënshkruar nga sulmuesi shqiptar. Në fakt, Kapllani është shënuesi më i mirë i FSV Frankfurtit në tre sezonet e fundit.