Adriatik Balla 26.05.2015 08:50
Tirana e Partizani mbyllën një sezon në drejtime të ndryshme. Bardheblutë dështuan të kenë sukses këtë edicion, pasi nuk fituan asnjë trofe dhe nuk siguruan as pjesëmarrjen në turet eliminatore të Ligës së Evropës dhe i kanë varur shpresat tek Kukësi, duke uruar që verilindorët të fitojnë finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Laçit dhe kështu t’i
zënë vendin Kukësit në kampionat për një “biletë” në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinent.
Parë në këtë drejtim, me trajner të dorëhequr dhe pa një staf teknik afatgjatë, me probleme me tifozët për shkak të mos realizimit të objektivave dhe me një mungesë totale të strategjisë në merkato, Tirana ka probleme serioze dhe do ta kalojë verën duke gjetur rrugët e zgjidhjes. Ndryshe qëndron situata tek Partizani, që ka siguruar vendin e tretë në Kategorinë Superiore dhe nëpërmjet këtij pozicioni merr pjesë në Ligën e Evropës.
Kjo sigurohet pas 7 vjetësh mungese dhe për Partizanin është gjë pozitive. Trajneri Shpëtim Duro vijon punën dhe në merkato ka premtime për përforcime. Të dyja skuadrat janë fokusuar këto ditë në thithjen e tifozëve, me qëllimin për t’i mbajtur afër, duke shfrytëzuar për këtë rrjetet sociale dhe debatet online.