AlbanianSport.com 25.05.2015 20:00
ASNN – Një lajm aspak i mirë vjen për dy futbollistët e Kombëtares, portierin Etrit Berisha dhe mbrojtësin Lorik Cana, pasi Roma ka triumfuar në mënyrë dramatike në derbin kryeqytetas ndaj Lacios, duke siguruar një fitore 2-1 në takimin e zhvilluar të dielën dhe, bashkë me të, edhe kualifikimin direkt për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve sezonin e ardhshëm.
Të dyja skuadrat erdhën në këtë takim me vetëm një pikë që i ndante nga njëra tjetra në renditje dhe të ndërgjegjshme se, përtej rivalitetit historik, kjo ndeshje siguronte edhe biletën për në fazën e grupeve të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit. Pjesa e parë e derbit roman është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa 18 minutat e fundit kanë qenë marramendëse dhe të mbushura me emocione.
Roma ka kaluar e para në epërsi në minutën e 73-të, por Lacio ka barazuar shifrat 8 minuta më pas. Megjithatë, 6 minuta para fundit, Roma ka gjetur edhe golin e dytë, një gol që është diskutuar më pas nëpër media si i shënuar në pozicion të dyshimtë, por që sidoqoftë ka vlejtur për të siguruar fitoren për gjysmën verdhekuqe të kryeqytetit.
Seria A e kampionatit italian të futbollit ka edhe një javë për t’u luajtur dhe Lacio përballet në fushë të huaj me Napolin, në një betejë se cila prej këtyre skuadrave do të shkojë në turin eliminator të Ligës së Kampioneve dhe cila në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Cana e pa këtë ndeshje nga tribuna, ndërsa Berisha ishte në stol, së bashku me portierin e ri shqiptar, Thomas Strakoshën.