AlbanianSport.com 25.05.2015 16:40
ASNN – Admir Mehmedi nuk ka arritur që me skuadrën e tij, Fraiburgun të sigurojë mbijetesën në Bundesligën gjermane. Mirëpo, gjasat janë mjaft të mëdha që 24-vjeçari edhe edicionin e ardhshëm të jetë në elitën e futbollit gjerman. Siç raporton gazeta zvicerane “Blick”, është Borusia e Mënshengladbahut, pjesë e së cilës është Granit Xhaka, po interesohet për shërbimet e Mehmedit.
Freiburgu ra nga elita gjermane, pas humbjes që pësoi të shtunën në fushë të huaj ndaj Hanover 96-s, me rezultatin 2-1. Mehmedi ishte titullar dhe luajti tërë ndeshjen. Ai ka një kontratë me Fraiburgun deri në vitin 2019, mirëpo është paksa e pabesueshme se do të luajë në Bundesligën e 2-të të Gjermanisë me këtë skuadër, për shkak se ofertat nuk mungojnë.
Në rast se transferohet te Mënshengladbahu, atëherë ka mundësinë që të luajë në Ligën e Kampioneve edicionin e ardhshëm, pasi që skuadra e Granit Xhakës e ka siguruar këtë të drejtë. Përveç Borusias së Mënshengladbahut, për shërbimet e futbollistit të përfaqësueses së Zvicrës, Mehmedi, ka treguar interesim edhe Hamburgu, skuadër kjo që do të luajë në “play-off” me Karlsruhen për qëndrim në elitë.
Pjesë e Karlsruhes është Ylli Sallahi. Hamburgu, pjesë e të cilës skuadër është kosovari tjetër, Valon Behrami, e ka përfunduar sezonin në Bundesligën e parë në vendin e 16-të, një pozitë sipër Fraiburgut të Admir Mehmedit dhe dy vende sipër Paderbornit të Alban Mehës.