AlbanianSport.com 25.05.2015 14:30
ASNN – Edhe në Gjermani, Bajerni i Mynihut është shpallur “kampion”, duke marrë kështu trofeun për të 25-tën herë në histori, pasi ka mundur 2-0 Maincin. Golat për bavarezët u shënuan nga Levandovski me 11-metërsh dhe Shvajnstajger. Sulmuesi polak shënoi golin e 17-të në kampionatin gjerman, ndërsa Shvajnshtajger festoi me gol ndeshjen e 500-të në Bundesligë.
Në fund të takimit, kapiteni Lahm ka marrë trofeun dhe më pas festa është për futbollistët e Bajernit dhe trajnerin Pep Guardiola. Si gjithmonë sipas traditës birra ka qenë shoqëruesja e festimeve për të gjithë skuadrën. Një sukses i rëndësishëm për ekipin bavarez, që në Evropë dështoi, madje edhe në Kupën e Gjermanisë. Bajerni i djeshëm i bëri mirë detyrat e tij në ndeshjen ndaj Maincit, të cilin e mundi pastër 2-0.
Levandovski shënoi në pjesën e parë dhe dyfishoi rezultatin në fillim të pjesës së dytë mesfushori Bastian Shvajnstajger, duke i dhënë Bajernit trepikëshin që gëzoi jo pak tifozët. Pavarësisht se skuadra kishte dështuar në përpjekjen e saj në Ligën e Kampioneve, ku u eliminua nga Barcelona në gjysmëfinale, stadiumi “Allianz Arena” ishte sërish plot dhe tifozët bavarezë e shijuan në maksimum titullin.
34 javë, 25 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje, 3 prej të cilave me titull të siguruar. 79 pikë për 80 gola të shënuar dhe 18 të pësuar. Ky është Bajerni i sezonit 2014-2015 në Bundesligë. Nën drejtimin e Pep Guardiolës të gjithë prisnin më shumë, por dëmtimet ishin kryefjala e një viti futbollistik që në Evrope nuk solli atë çka pritej. Ndërkohë, Guardiola refuzoi ftesën e Barcelonës për të ndjekur finalen e Berlinit dhe pas festës në “Marienplatz” do të mendojë për skuadrën dhe sezonin e ri.