Adriatik Balla 24.05.2015 14:40
Partizani rikthehet në arenën evropiane pas një mungese 7-vjeçare, duke bërë që ky sezon edhe pse për një moment ngjalli dëshirën e titullit “kampion”, duhet të konsiderohet i suksesshëm. Të kuqtë e kryeqytetit siguruan rikthimin në Ligën e Evropës, aty ku për herë të fundit kanë luajtur më 31 korrik të vitit 2008.
Një periudhë e gjatë pa shijuar emocionet evropiane për një skuadër me emër dhe histori në futbollin shqiptar. Eliminimi nga skuadra boshnjake Shiroki Brijeg pikërisht në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, u shoqërua me periudhën më të errët në historinë e Partizanit, që u fundos në kategoritë më të ulëta të futbollit shqiptar.
Por rikthimi i 15 herë kampionëve në elitën e futbollit në vend u shoqërua me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, një objektiv që nuk u sigurua që në sezonin e parë të rikthimit. Partizani qëndroi në garë për të fituar titullin për një kohë të gjatë, madje duke kryesuar në shumë javë kampionatin.
Por në fund u kënaq me objektivin e vendosur që në fillim të sezonit, rikthimin në Evropë. 7 vite “agjërim” kanë shtuar dëshirën tek Partizani që rikthimi në Evropë të shoqërohet me një kualifikim, mision që mungon prej 29 korrikut 2004, kur të kuqtë eliminonin skuadrën malteze, Birkirkara.