AlbanianSport.com 04.10.2014 18:50
ASNN – Partizani dhe Flamurtari janë ndarë në barazim 0-0 në ndeshjen e parë të javës së 7-të të Kategorisë Superiore. Nga një pikë për secilën skuadër, që nuk kënaq aspak synimet e drejtuesve të tyre. Gjithsesi të dyja skuadrat tashmë ndodhen në kuotën e 12 pikëve. Nuk ka patur kështu fitues në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në sfidën e kryesueseve të Kategorisë Superiore, Partizani-Flamurtari.
Të dyja skuadrat e kanë mbyllur takimin me rrjeta të paprekura megjithë rastet e krijuara. Në pjesën e parë është Flamurtari që rrezikon në minutën e 10-të me anë të Franc Veliut. Pas një goditje dënimi, kapiteni i Flamurtarit godet me kokë por topi përfundon jashtë. Më pas është Partizani që rrezikon në minutën e 20-të, me anë të Raçiçit.
Sulmuesi serb ekzekuton një goditje dënimi por topi kalon shumë pranë portës së mbrojtur nga Lika. Në 35-n minutë është sërish Raçiçi që ka rastin më të mirë për të kaluar Partizanin në epërsi, por topi i goditur prej brenda zonës, largohet nga mbrojtja vlonjate. Në pjesën e dytë Partizani është më kërkues ndaj golit por mbrojtja vlonjate është tepër e kujdesshme.
Në minutën e 59-të, Raçiçi shfaqet sërish rrezikshëm në zonën vlonjate dhe topin e ardhur nga krahët nuk arrin ta çojë në rrjetë. Dy minuta më pas është Zhilberto i Flamurtarit që gjuan mjaft bukur, por topi përfundon në duart e portierit Hoxha. Në minutat e mbetura është Partizani që kërkon me ngulm golin por pa mundur të finalizojë.
Kështu në përfundim të 90 minutave, të dyja skuadrat kanë marrë nga një pikë duke u ngjitur në kuotën e 11 pikëve.