AlbanianSport.com 23.05.2015 19:55
Lacio e ka lejuar të shkojë portierin tonë kuqezi në formë huazimi, për t’i dhënë mundësi të luajë. Futbollistët e Kombëtares tonë po mbyllin një sezon fantastik për 2014-2015, duke qenë madje ndër më të kërkuarit në tregun e lojtarëve për merkaton verore. Një ecuri pozitive dhe të lakuar në media kanë bërë futbollistët që luajnë në Serinë A italiane, si Cana, Berisha, Hysaj e Memushaj, por edhe të tjerë që luajnë në ekipet kuqezi të moshave dhe që aktivizohen me disa ekipe italiane të kategorive të ndryshme.
Merkato e verës pritet me interesim të madh, pasi janë rritur ambiciet për të luajtur në ekipe të rëndësishme dhe një ndër futbollistët që kërkon një eksperiencë të re është Thomas Strakosha, djali i portierit legjendar të Kombëtares Foto Strakosha. Lacio ka dhe një portier tjetër shqiptar, Etrit Berishën, si dhe një gardian italian, Marketin, të dy titullarë në ndeshje të ndryshme në kupë e kampionat, domethënë zëvendësojnë njëri-tjetrin.
Radha për Strakoshën nuk vinte dhe për t’i dhënë një mundësi më shumë në karrierë, vendosi ta huazojë tek Salernitana. Kështu, portieri 20-vjeçar Thoma Strakosha do të huazohet te Salernitana, në “Lega Pro” në Itali. Është klubi i Lacios që ka marrë këtë vendim, për t’i dhënë mundësi portierit të talentuar të Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë të fitojë eksperiencën e nevojshme. 20-vjeçari Strakosha është portieri i tretë të Lacio, por prania e Federiko Marketit dhe Etrit Berishës, kështu që vetëm në ndonjë rast ekstrem ai ka mundësi të aktivizohet me ekipin e parë kryeqytetas.
Në fakt, kjo është një praktikë e njohur në Itali, teksa këtë rrugë ka ndjekur edhe Samir Ujkani, kur ai u huazua nga Palermo te Novara. Salernitana është një emër i njohur për sportdashësit shqiptarë, pasi më parë aty ka luajtur ish-sulmuesi shqiptar, Erjon Bogdani, kur ai u huazua nga Rexhina në sezonin 2003-2004 (38 ndeshje, 8 gola). Djali i ish-portierit Foto Strakosha konsiderohet si një nga portierët të talentuar të moshës së tij në Itali.
Ai u transferua nga Panionos i Greqisë te Lacio, me të cilën u shpall “kampion” për të rinjtë (Primavera) në Itali. Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, ka mbledhur shumë lojtarë kuqezinj në radhët e klubit italian, duke zgjedhur ata që janë më në formë. Së fundmi është Gashi në orbitën e klubit lacial. Sukseset e këtij sezoni dhe natyrisht ambicia për pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve kanë rritur ambiciet e Lacios për të bërë merkato të fortë dhe lojtarët shqiptarë kanë pasur një ngjitje të madhe këtë edicion dhe janë të preferuar.