AlbanianSport.com 23.05.2015 13:30
ASNN – Luiza Gega ka konfirmuar edhe një herë statusin e saj si atletja më e mirë shqiptare e momentit, pasi vetëm brenda ditës, u rendit fillimisht e 5-ta në botë në “Diamond Ligën” e zhvilluar në Doha dhe, më pas, e 3-ta në “Uërlld Çellenxh” në Pekin, duke thyer në proces rekordin kombëtar të 1,500 metrave dhe duke siguruar edhe kualifikimin me normë olimpike për në “Rio 2016”.
Duke folur për AlbanianSport.com, ajo e ka quajtur këtë sukses të pritshëm. “Duke patur parasysh përgatitjen që kam bërë, mund të them se ky rezultat nuk ishte i papritur, përkundrazi, – pohoi Gega. – Kemi kaq muaj që përgatitemi për këto gara dhe ajo që na duhej ishte përqendrimi për të dhënë maksimumin.” Në fakt, atletja shtatshkurtër e ka vuajtur mungesën e përqendrimit në garat që i paraprinë dy sukseseve.
“Unë e di që shumë njerëz mund të kenë qenë të zhgënjyer, por duhet të shpjegoj këtu se bëhet fjalë për dy lloje garash të ndryshme nga njëra-tjetra, – theksoi ajo. – Në një Kampionat Evropian apo Botëror, qoftë ky në salla të mbyllura apo në mjedise të hapura, ajo që ka më tepër rëndësi është strategjia e garës. Unë këto gara vrapoj e vetme, ndërsa rivalet e mia luftojnë në grup.”
“Kjo më dëmton mua, – këmbënguli rekordmbajtësja shqiptare. – Prandaj them që garat nëpër kampionate janë gara strategjie, ndërsa garat si këto të “Diamond Ligë” apo të “Uërlld Çellenxh”, janë gara teke, gara shpejtësie, ku duhet të japësh gjithçka brenda një gare të vetme. Me përqendrim dhe, mbase me pak fat, mund të arrish shumë. Përtej kësaj, ndjehem në formë dhe rezultatet e arritura së fundmi nuk ishin rastësi.”
Tashmë ajo e ka hedhur vështrimin tek gara e radhës në “Diamond Ligë”. “Gara e Romës është një tjetër shans i mirë për mua për të provuar ta përmirësoj rekordin kombëtar që vendosa në Doha, pasi kam ende për të dhënë, – ka deklaruar Gega. – Është një garë që do të zhvillohet në kushte të përafërta orari, por edhe klime me Tiranën dhe prandaj jam optimiste për një tjetër rezultat pozitiv.”
Natyrisht, synimi i saj madhor është medalja në Lojërat e para Olimpike Evropiane. “Unë i njoh rivalet që do të marrin pjesë në garat e “Bakú 2015”, ku unë do të garoj në 800 m dhe 1,500, – zbuloj atletja kuqezi. – Në krahasim me to, rezultatet e mia janë shumë më lart dhe prandaj jam optimiste për dy medalje të arta atje.” Si faktorë të rëndësishëm të suksesit të saj, Gega ka vlerësuar punën e trajnerit të saj, Taulant Stërmasi, dhe mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.