Adriatik Balla 23.05.2015 10:45
Festa pushtoi mbrëmë Korçën, me Skënderbeun që siguroi titullin e pestë radhazi “kampion” në Kategorinë Superiore, një sukses plotësisht i merituar dhe një arritje e madhe për ekipin juglindor. Ndeshja e djeshme ndaj Vllaznisë, e fundit sipas kalendarit, u luajt pikërisht në qytetin e Korçës, në bazë të marrëveshjes së bërë midis dy klubeve, pasi duhej që të ishte Vllaznia pritëse.
Spektakli ishte i garantuar nga fillimi në fund, pasi tifozët ishin përgatitur për festë dhe e shijuan në maksimum. Mjaftuan dy gola të shpejtë të shënuar në pjesën e parë nga Berisha dhe Progni që ekipi i Skënderbeut ta mbyllte në mënyrën më të mirë këtë edicion të Kategorisë Superiore, duke hyrë në histori të futbollit tonë me titullin e pestë radhazi, çka i takon kupa e larë me ar.
Zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, në prani të një numri të madh tifozësh dhe të të dy ekipeve, mundësuan organizimin e ceremonisë së mbylljes së garës, duke i dorëzuar trofeun kampionatit kapitenit Bledi Shkëmbi. Entuziazmi në fushë dhe në tribuna është shumë i madh. Realisht spektakli nisi që në fillim të ndeshjes, kur presidenti Ardian Takaj dhe trajneri Mirel Josa u vlerësuan nga Këshilli Bashkiak i Korçës me titullin “Qytetarë Nderi”.