AlbanianSport.com 23.05.2015 08:55
ASNN – Sikundër ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, edhe të premten, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit njërën nga ndeshjet e vlefshme për javën e 36-të dhe të fundit, atë midis Tiranës dhe Teutës, që u fitua nga bardheblutë me një gol të vetëm, të shënuar në pjesën e dytë.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje, që u zhvillua në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe kishte vlerë vetëm për të konfirmuar pozitat e të dyja skuadrave në renditje, është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa fati i saj është vulosur 10 minuta para fundit, kur Elis Bakaj ka shënuar një gol, i ndihmuar edhe nga një devijim i Kahatës në pozicion të dyshimtë.
Mesfushori Elis Bakaj i dha fitoren Tiranës dje në ndeshjen që bardheblutë zhvilluan në “Qemal Stafa” ndaj Teutës, takim që përfundoi me rezultatin 1-0. Në këtë ndeshje Tirana shfaqi mangësi jo të vogla dhe fitoi me shumë vështirësi, por trepikëshi e mban në vallen e shpresës për një vend në Ligën e Evropës. kjo mund të ndodhë vetëm në një rast: Nëse Kukësi, nënkampion në Superiore, arrin të fitojë Kupën e Shqipërisë.
Domethënë, nëse Kukësi e mund Laçin në finale të Kupës javën e ardhshme, Tirana do të përfitojë si vend i katërt që të shkojë në Ligën e Evropës, duke zënë vendin e Kukësit. Fitorja e djeshme kishte më shumë vlerë morale, pasi ekipi kërkonte ta mbyllte me fitore këtë edicion. Sipas të gjithë specialistëve, madje dhe vetë zyrtarëve të klubit, Tirana e këtij sezoni ishte një katastrofë.
Kjo, sepse nga ambiciet për titull e kupë, nuk mundi të sigurojë direkt as pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Ndërkohë, për Teutën humbja nuk ishte fatale, pasi një javë më parë ajo e siguroi mbijetesën me fitoren e drejtpërdrejtë ndaj Apolonisë. Në takimet e tjera, Kukësi fitoi 2-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit, Partizani fitoi 3-0 në Kamëz ndaj Elbasanit, ashtu sikundër edhe Laçi triumfoi 4-1 në Fier ndaj Apolonisë.
Në takimit që ka ulur të premten siparin e sezonit 2014-2014, që ishte edhe edicioni i 76-të i saj, Skënderbeu ka fituar në Korçë ndaj Vllaznisë, në një takim që supozohej të luhej në fushën e shkodranëve, duke u kurorëzuar si si “kampion” për herë të pestë radhazi dhe si asnjëherë më parë në historinë e futbollit shqiptar.