Adriatik Balla 23.05.2015 08:00
Shqipëria do të luajë një takim të rëndësishëm miqësor ndaj përfaqësueses franceze më 13 qershor 2015 në Stadiumin “Elbasan Arena”. Ky është një takim mjaft i rëndësishëm për kuqezinjtë, pasi trajneri Xhovani De Biazi do të testojë forcën e grupit dhe do të shohë formën e disa lojtarëve të rinj që pretendojnë të jenë titullarë në sfidat e ardhshme të Kombëtares.
Natyrisht, ndeshja me Francën shënon një pikë të rëndësishme vazhdimësie për ekipin e De Biazit, madje një test i fuqishëm për sfidat e ardhshme zyrtare në grupin i eliminator. Optimizmi në prag të këtij takimi është shumë i madh dhe kjo lidhet me atmosferën e krijuar nga skuadra jonë përfaqësuese në këto eliminatore. Ndërkohë, Franca ka zbuluar lojtarët me të cilët do të luajë kundër Shqipërisë më 13 qershor 2015.
Në listën e Francës mungon emri i Karim Benzemasë, por aty janë dyshja Patris Evra dhe Pol Pogba, që më 6 qershor 2015 do të luajnë në finalen e Ligës së Kampioneve me Juventusin përballë Barcelonës më Berlin. “Nuk ka qenë një zgjedhje e vështirë, – ka thënë trajneri i Francës, Didier Deshomp, duke folur për gazetarët pas shpalljes së listës së futbollistëve të grumbulluar për sfidën me Shqipërinë.
“Mendoj se ekipi përfaqësues është gjëja më e rëndësishme për një futbollist kështu që besoj se do të jetë të lumtur të jenë pjesë e ekipit në miqësoren me Shqipërinë”, – ka shtuar ai. Franca më 7 qershor do të luajë me Belgjikën në Paris dhe pritet të jetë në Tiranë që më 11 qershor 2015. Didier Deshomp do të mbajë më 12 qershor 2015 një konferencë për shtyp, ndërsa do të zhvillojë në ora 18:00 seancën e fundit stërvitore në Stadiumin “Qemal Stafa” dhe jo në “Elbasan Arena”.
Ja lista e të grumbulluarve të Francës për ndeshjen ndaj Shqipërisë:
Portierë: Hugo Lloris (Totenhem), Stiv Mandanda (Olimpik Marsejë), Stefan Rufie (St. Etienë).
Mbrojtës: Patris Evra (Juventus), Kristof Zhalet (Lion), Loron Kosielni (Arsenal), Eliakim Mangala (Mançester Siti), Bakari Sanja (Mançester Siti), Mamadu Sakho (Liverpul), Benua Tremulinas (Sevilja), Rafel Varane (Real Madrid).
Mesfushorë: Johan Kabaje (Paris SG), Maksim Gonalon (Lion), Gëfri Kondogbia (Monako), Blaize Matuidi (Paris SG), Dimitri Pajet (Olimpik Marsejë), Pol Pogba (Juventus), Musa Sisoko (Njukasëll).
Sulmues: Nabil Fekir (Lion), Olivier Zhirud (Arsenal), Antuan Grizman (Atletiko Madrid), Aleksandër Lakaxetë (Lion), Matjë Valbuena (Dinamo Moskë), Pol-Zhorxh Ntep (Renë).