AlbanianSport.com 04.10.2014 17:05
ASNN – Për herë të parë në Vlorë dhe në funksionimin e një klubi futbolli, mblidhet asambleja qytetare, referuar pikërisht situatës më të fundit në kampin e Flamurtarit. Një mbledhje e parë, por që tashmë do të jetë e përmuajshme, për t’u ndalur tek zhvillimet gjatë kësaj periudhe një mujore në skuadrën dhe klubin e Flamurtarit. Zbatohet për herë të parë në një klub futbolli në Vlorë dhe kjo është një risi.
Të pranishëm në takimin e parë drejtuesit e klubit të futbollit “Flamurtari”, si administratori Sinan Idrizi, skuadra, me në krye trajnerin Ernest Gjoka dhe natyrisht qytetarë dhe ish-futbollistë të kësaj skuadre. Në fokus të mbledhjes ishte funksionimi i klubit, mes një debati të hapur qytetar, për të marrë vendimet së bashku rreth funksionimit të klubit dhe natyrisht skuadrës dhe rezultateve të saj.
Është kërkuar nga drejtuesit mbështetje për skuadrën vlonjate, në rrugën që synon titullin “kampion” këtë sezon, por këtu nuk duhet të ketë lëvdata por edhe kritika. Nga të pranishmit dhe kryesisht qytetarë, sportdashës është folur shumë rreth problemeve që tashmë ka aktualisht klubi, me qëllimin që në vijim situata të përmirësohet edhe më tej, pavarsisht faktit se Flamurtari mban vendin e parë në renditje.
Ajo që është theksuar, është që të evitohet mbi të gjitha presioni psikologjik mbi skuadrën që tashmë vuan kryesisht në ndeshjet në shtëpi kur luan Flamurtari, por edhe për të dalë tek loja e bukur dhe mbi të gjitha rezultatet e duhura, për të cilat kishin kritikat e tyre sportdashësit e Vlorës.