AlbanianSport.com 21.05.2015 17:05
ASNN – Sulmuesi Shkëlzen Gashi po mbyll një sezon fantastik me Bazelin në kampionatin zviceran të futbollit. Paraqitja e tij ka qenë e jashtëzakonshme, po të mendohet dhe numri i shumtë i golave (Këpuca e Artë) dhe pasmet e rëndësishme për gol. Në 35 ndeshje ku është aktivizuar në total në të gjitha veprimtaritë, ka mundur të shënojë 25 gola, 21 në kampionat, 3 në Kupën e Zvicrës e një në Ligën e Kampioneve.
Shumë nga finalizimet e 26-vjeçarit, përveçse kanë qenë përcaktuese në shpalljen “kampion” të Bazelit, kanë mbetur në mendjen e tifozëve të futbollit për mënyrën e realizimit. Kështu, në bazë të një sondazhi të organizuar nga Radio-Televizioni Zviceran (SRF), goli i Gashit ndaj FC Thunit është cilësuar se më bukuri i sezonit. Mënyra e ekzekutimit me një diagonale në një kënd shumë të ngushtë, e bën këtë finalizim të sulmuesit të kombëtares shqiptare më të votuarin nga ndjekësit e SRF-së.
Interesant është fakti se edhe goli i dytë më i votuar është shënuar po nga Gashi në ndeshjen me FC A’araun. Gjuajtja e kalibruar nga një distancë e largët, pas daljes së portierit, konsiderohet një tjetër vepër arti e sulmuesit shqiptar, që për të dy golat mori 51% dhe 20% të votave, duke qenë ndjeshëm i distancuar nga rivalët e tjerë në sondazhin në fjalë.