AlbanianSport.com 04.10.2014 16:30
ASNN – “Asnjëherë nuk hyj në stadium me mendimin që të paktën për këtë ndeshje të marr barazimin”. Kështu është shprehur trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, në konferencën për shtyp dhënë përpara ndeshjes me Danimarkën. Në kombëtaren shqiptare rikthehet Meha, pas një periudhe pushimi për shkak dëmtimi. Ky fakt është vlerësuar si një gjë pozitive nga ana e trajnerit De Biazi. Ndeshja Shqipëri-Danimarkë do të luhet në 11 tetor në orën 20:45 në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Shqipëria do të luajë të shtunën, në 11 tetor, ndaj Danimarkës, ndeshjen e dytë në grup, të vlefshme për grupin I të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Futbollit, “Francë 2016”. Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Xhovani De Biazi e ka quajtur të vështirë takimin, për vetë faktin se Danimarka është një ekip që luan më fort në ndeshjet në fushën kundërshtare, si dhe ka lojtarë që luajnë prej kohësh në kombëtare dhe e njohin lojën e njëri-tjetrit.
“Danimarka është një kundërshtar i fortë, – ka theksuar De Biazi. – Ka lojtarë me përvojë që luajnë në skuadra të forta evropiane dhe janë mjaft cilësorë. Një pjesë e madhe e tyre luajnë prej kohësh në kombëtare, ndaj e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit. Përfaqësuesja daneze ka një veçori, luan mjaft mirë në ndeshjet në fushën kundërshtare. Një gjë të tillë e ka vërtetuar edhe në eliminatoret e kampionatit tjetër, kur kishte fituar 3 ndeshje jashtë fushës së vet.
“Por kjo nuk do të thotë që ne do të frikësohemi dhe të mendojmë të paktën për barazimin, – ka vijuar italiani i pankinës kuqezi. – Unë nuk hyj asnjëherë në stadium për të marrë të paktën barazimin, sidomos kur jam në fushën time dhe përballë tifozëve të mi. Ndeshja me Portugalinë do të jetë si një busull orientuese për të ndrequr gabimet që bëmë atje dhe për të përmirësuar akoma më shumë ato elementë pozitivë që shfaqëm në atë takim.”
Në kombëtare rikthehet Alban Meha, një lojtar tepër i rëndësishëm për skuadrën përfaqësuese. Ndërsa mungesa e Odise Roshit, të dëmtuar vetëm pak ditë më parë do ta detyrojë De Biazin të bëjë ndryshime në formacion. “Sigurisht që për mua është pozitiv fakti që Alban Meha u rikthye në Kombëtare, – ka pohuar trajneri 57-vjeçar. – Edhe pse ai nuk është në 100% të formës, pasi në ndeshjen e fundit me ekipin e tij luajti vetëm 10 minuta, ai është i domosdoshëm në mesfushë për ne sidomos për gjuajtjet e tij të fuqishme.”
“Ndërsa për mungesën e Odise Roshit, do të më duhet të provoj 2-3 lojtarë të tjerë për ta zëvendësuar”, – ka përfunduar trajneri i Shqipërisë, Xhovani De Biazi. Ndeshja Shqipëri-Danimarkë do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, i cili është rikonstruktuar sipas të gjitha standarteve të UEFA-s, dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.