AlbanianSport.com 21.05.2015 07:55
ASNN – Tirana ka rinisur përgatitjet për ndeshjen e fundit të kampionatit, por, përpara kësaj seance stërvitore, bardheblutë kanë zhvilluar dje në orën 17:00 një mbledhje në kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet. Drejtori sportiv, Devi Muka, kapiteni i skuadrës, Ervin Bulku, si dhe trajneri i përkohshëm, Emanuel Egbo, kanë diskutuar me skuadrën për atë që ka ndodhur ditët e fundit dhe se si duhet të përgatiten për të mbyllur sezonin.
Stafi teknik i ka shpjeguar skuadrës arsyet pse klima në ditët e fundit ka qenë e tensionuar, duke i treguar se ky klub nuk është mësuar pa trofe e pa rezultate. Stafi u ka kërkuar lojtarëve të përqendrohen për ndeshjen e fundit, e cila duhet fituar me çdo kusht. Pas saj do të analizohet sezoni i gjithësecilit e do të merren vendimet e duhura për të ardhmen.
Emanuel Egbo do të jetë trajneri i përkohshëm i Tiranës. Këtë vendim, klubi kryeqytetas e ka marrë pas dorëheqjes së trajnerit Gugash Magani. Ndërkaq, është mësuar zyrtarisht se, në pamundësi për të luajtur, kapiteni Ervin Bulku do të jetë gjithashtu në ndihmë të Egbos, si ndihmëstrajner, për ndeshjen e të premtes me Teutën në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”.