AlbanianSport.com 20.02.2015 22:05
Janë zhvilluar të mërkurën dy ndeshjet e “plej-aut”-it midis Kategorisë së Parë dhe asaj të Dytë dhe Besa ka siguruar qëndrimin edhe për një tjetër sezon në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në takimin tjetër, Tomori është mundur nga Erzeni, duke ia lënë shijakasve vendin në Kategorinë e Parë.
Në të dyja takimet ka patur tension, por në ndeshjen Besa-Turbina, dhuna masive ka çuar në shoqërimin në polici të lojtarëve dhe tifozëve cërrikas. Dhuna është rikthyer sërish në stadiumet shqiptare dhe episodi më i fundit ka qenë ai që ndodhi në Durrës, gjatë ndeshjes së “play-out”-it midis Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së dytë.
Në takimin midis Besës së Kavajës dhe Turbinës së Cërrikut, pamje të së cilës i përcjellin këto xhirime amatore, dy kartona të kuq, të dhënë nga gjyqtari kryesor, Lorenc Jemini, nga një për secilën skuadër, ka çuar në një sherr masiv, ndërsa 10 lojtarë të skuadrës cërrikase dhe një numër tifozësh të saj janë shoqëruar në komisariatin e policisë.
Sipas të gjitha gjasave, Besa do të mbetet në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, ndërsa pritet vendimi që do të marrë Komisioni i Disiplinës në FSHF për Turbinën. Ndërkaq, në duelin tjetër të “play-out”-it, Erzeni ka mposhtur Tomorin, me një gol të shënuar në minutat e fundit të kohës së rregullt, duke u riktheyer pas shumë vitesh në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Edhe në këtë ndeshje nuk mungoi tensioni, por goli i Pashës në minutën e 87-të bëri që beratasit të zbresin në Kategorinë e Dytë pas 6 vitesh.