AlbanianSport.com 20.05.2015 17:30
ASNN – Përmes një kupe të organizuar me emrin e tij, Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me klubin Vllaznia, nderoi të mërkurën Agim Tafilin i cilësuar si një prej legjendave të sportit të çiklizmit. I ndarë nga jeta pak kohë më parë, kjo veprimtari e këtij viti përkon edhe me 55-vjetorin e lindjes së mjeshtrit të madh të çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar. Në program kanë qenë dy etapa, ajo Lezhë-Shkodër për paratërinj dhe Tiranë-Shkodër për kategorinë e të rriturve.
Në pedalimin e etapës së paratërinjve, Lezhë-Shkodër, 36 km e gjatë, me interes pritej që në finishin e sheshit të Parrucës të mbërrinin çiklistët e Vllaznisë dhe sidomos kapiteni i kësaj skuadre, talenti Bruno Kola. Por një përplasje me rivalet vetëm 200 metra pa mbërritur në finish, bëri që i pari në finish të mbërrinte çiklisti durrsak Sali Ballgjini, me kohën 1 orë, 2 minuta dhe 50 sekonda, i ndjekur nga Ridvan Tafili, po i Teutës.
Në vend të tretë erdhi Reiz Ferhati i Vllaznisë, me nga një sekondë më shumë. Ndërsa, në konkurrimin e kategorisë së të rriturve, tre vendet e para i merituan Krisel Sota i Apolonisë, që mbërriti në finish me kohën 2 orë, 14 minuta dhe 25 sekonda, i ndjekur nga Olsian Veliaj i Tiranës dhe Besmir Banushi i Apolonisë, me nga një sekondë më shumë.
Gjatë ceremonisë së mbylljes së aktivitetit drejtuesit e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, krahas dorëzimit të kupave dhe diplomave për fituesit u shpërndanë atyre edhe stimuj materiale. Konkurrimi në Kupën “Agim Tafili” u ka shërbyer çiklistëve pjesëmarrës edhe si një test mjaft serioz për garën e Kampionatit Kombëtar që do të zhvillohet gjatë periudhës në vazhdim, veprimtari kjo që i paraprin edhe veprimtarive ndërkombëtare, për të cilat Federata Shqiptare e Çiklizmit ka filluar që tani të marrë masat e duhura.