Nga Adriatik Balla 20.05.2015 16:35
Fenomeni i trukimit të ndeshjeve është bërë shqetësues jo vetëm në Shqipëri por në shumë vende evropiane, sidomos në atë vende që po kalojnë një periudhë krize ekonomike. Kështu, herë pas here futbolli italian ka probleme, por ndryshe nga Shqipëria, e cila nuk ka bërë sa duhet për ta luftuar fenomenin e trukimeve të rezultateve të ndeshjeve, në Itali ka hetime, arrestime dhe burgime për këto raste.
Policia italiane arrestoi dje 70 persona të cilët lidhen me trukimet e ndeshjeve. Shumë lojtarë, trajnerë, drejtues skuadrës e zyrtarë të lartë janë arrestuar dhe janë dërguar në prokurori. Bëhet fjalë për skuadra dhe zyrtarë të ligës Serie D. Prokuroria në bashkëpunim me policinë ishin duke hetuar prej kohësh fiksimet e ndeshjeve në Itali ku thuhet se ka material të bollshëm për trukime.
Për krahasim, Federata Shqiptare e Futbollit dhe prokuroria jonë nuk kanë bërë asgjë deri tani të gjejnë përgjegjës në kampionatin shqiptar për trukimin e ndeshjeve, megjithëse fenomeni bëhet aq hapur sa nuk ka nevojë për hetim të hollësishëm e të koklavitur. Madje dhe marrëveshja që ka bërë federata me prokurorinë dhe thirrjet e vazhdueshme të UEFA-s për kujdes, nuk kanë sjellë ndonjë dobi deri tani për ta luftuar këtë fenomen në futbollin shqiptar.