AlbanianSport.com 19.05.2015 18:45
ASNN – E bindur për pafajësinë e saj, peshëngritësja e Kombëtares shqiptare Romela Begaj vazhdon betejën ligjore për dopingun. Pas shpalljes publike të dënimit nga Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF) me dy vite për Begajn (1 dhjetor 2014-1 dhjetor 2016), Begaj e ka apeluar këtë vendim në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS).
Kjo ka bërë që edhe Federata Botërore ta pezullojë dënimin ndaj saj deri në përfundimin e plotë të procesit gjyqësor dhe kjo pasqyrohet edhe nga faqja zyrtare. Sipas asaj që shkruan e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”, me çështjen po merret një avokat zviceran dhe mjeku grek, i cili e ka shoqëruar përgjatë gjithë procesit.
Ndërkaq, në një prononcim për të përditshmen në fjalë, Begaj rikonfirmon pretendimin se është e pastër dhe se e drejta do të dalë në dritë shumë shpejt në favor të saj. “Ky është hapi i dytë që unë po ndjek pas panelit dëgjimor, – tha peshëngritësja. – Avokati im po bën gati të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe jemi në pritje në shpalljes së datës së gjyqit.”
“Besoj shumë se e drejta do të dalë në favorin tim, siç kam thënë edhe në fillim, – ka vijuar Begaj. – Unë kam qenë e pastër, jam dhe do të jem e pastër deri në fund të karrierës sime. Unë kam 10 vite që ushtroj këtë sport me pastërti dhe jam gati për çdo sfidë të radhës vetëm me “fair play”. Përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe më kanë qëndruar pranë në këto çaste të vështira.”
Në faqen zyrtare të Federatës Botërore të Peshëngritjes në Internet, përkrah emrit të Romela Begajt, thuhet se dënimi i saj, për rezultimin pozitiv për përdorimin e substancës “stanozolol” gjatë garave zyrtare, ka nisur më 1 dhjetor 2014 dhe zgjat deri në vendimin e Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS). Por, në faqen e CAS-it në Internet nuk ka asnjë datë për dëgjimin e çështjes së Romela Begajt.
Duke iu referuar publikimit më të fundit të listës së çështjeve që do të dëgjohen nga ky organizëm i jurisprudencës sportive ndërkombëtare, të afishuar me 5 maj 2015, emri i Begajt nuk figuron në periudhën 11 maj-26 qershor 2015. Mbetet për t’u parë në javët në vijim sesi do të zhvillohen ngjarjet me peshëngritësen shqiptare.