Gjergj Vyshka 19.05.2015 17:55
Që nga data 6 maj 2015, në Bullgari, më konkretisht në qytetet e Burgasit, Stara Zagorës, Slivenit dhe Sozopolit, ka nisur kampionati Evropian i futbollit për moshën deri në 17 vjeç. Është kampionati i 32-të i kësaj grupmoshe, ndërsa në finale kanë dalë Gjermania, e cila dje ka mundur Rusinë 1-0, si dhe Franca, që ka fituar nga pika e bardhë e 11-metërshave pas barazimit 1-1 ndaj Belgjikës. Por risia e këtij kampionati është gjyqtari shqiptar Rejdi Avdo.
Anësori ndërkombëtar dje ka qenë në gjysmëfinalen Gjermani-Rusi 1-0, ndërsa kryesor i kësaj ndeshje ka qenë rumuni Marius Avram dhe ndihmësi tjetër, azerbajxhanasi Namik Huseinov. Gjatë këtij kampionati, më saktë në fazën e grupeve, më 6 maj Avdo ka qenë anësor në ndeshjen Spanjë-Austri 1-1, aty ku kryesor ka qenë danezi Mads Kristofer Kristofersen dhe anësori tjetër portugezi Nunjo Pereira. Më pas, ai ka qenë anësor në ndeshjen Itali-Angli 0-1. Anglezët janë kampionët në fuqi të këtij Evropiani.
Në këtë ndeshje, kryesor ishte zvicerani Adrien Zhakotet, si dhe anësori tjetër, suedezi Mehmet Kulum. Më 10 maj, Avdo do të ishte ndhmës për polakun Pavel Razkovski, së bashku me armenin Erik Arevshatian, në ndeshjen Greqi-Skoci 1-0. Dhe më 11 maj, teksa kanë përfunduar dhe ndeshjet në grupe, do të ishte në takimin Slloveni-Belgjikë 0-1, me kryesorin izraelit Roi Rainshrajber dhe ndihmësin tjetër, uellsianin Gereth Vim Xhons.
Në total 5 ndeshje, por që shënojnë kulmin e karrierës si ndërkombëtar për Rejdi Avdon, i cili, pas Enea Jorgjit në finalet e vjetshme të Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçarëve, është një tjetër gjyqtar i yni që thirret në veprimtaritë e këtij niveli në fazën finale. Sa për dijeni të lexuesit, Kroacia, që ka mundur dje Italinë 1-0, si dhe Anglia, që ka fituar me 11-metërsha ndaj Spanjës, kanë siguruar të drejtën e vajtjes në Kampionatin Botëror të Nën-17-vjeçarëve, pjesë e së cilës duket se do të jenë dhe Gjermania, Franca, Belgjika e Rusia.
E për statistikë nëse ky kampionat do të fitohet nga Franca, ai do të jetë i dyti për “Gjelat”, ndërsa për gjermanët, i katërti, duke i bashkuar bashkë Evropianin e Nën-16 dhe Nën-17-vjeçarëve, që nga 1982-shi, kur është luajtur për herë të parë. Përtej kësaj, Rejdi Avdo si përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në këtë Evropian duket se në 5 ndeshje ka marrë vlerësimet maksimale. Ndaj dhe prania e tij në këto finale duhet konsideruar e suksesshme.