AlbanianSport.com 19.05.2015 16:15
ASNN – Dy skuadrat që siguruan në fundjavë biletën për t’u ngjitur në nivelin në të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore, Bylisi dhe Tërbuni, do t’i nënshtrohen kontrolleve nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Fillimisht janë stadiumet e këtyre dy skuadrave, që pak ditë më parë zyrtarizuan ngjitjen në Kategorinë Superiore, që do të inspektohen imtësisht nga organizmi që qeveris futbollin shqiptar.
Sipas një njoftimi të botuar në faqen zyrtare të FSHF-së në Internet, të dërguarit e këtij organizmi ishin të pranishëm në stadiumin “Ismail Xhemali” te Pukës dhe të mërkurën do të zbarkojnë në “Adush Muça” të Ballshit. Në njoftimin e Federatës theksohet se Sektori i Licensimit do të kryejë kontrollin e infrastrukturës, kushteve ligjore dhe administrative për të dyja klubet që do të ngjiten në Kategorinë Superiore dhe, më pas, do të caktojë detyrat dhe kriteret që duhen plotësuar për liçensimin e plotë për në Kategorinë Superiore për sezonin 2015-2016.
Është interesant fakti se inspektimi i Federatës Shqiptare të Futbollit mund të përqendrohet pak më shumë në situatën e Tërbunit, pasi stadiumi i qytetit të Pukës nuk është testuar asnjëherë në Kategorinë Superiore dhe, në këtë aspekt, drejtuesit e klubit verior duhet të rrisin nivelin e punës së tyre. Në krahun tjetër, Bylisi është një skuadër që ka luajtur për shumë vite në Kategorinë Superiore dhe Federata Shqiptare e Futbollit i ka inspektuar edhe më parë kushtet e stadiumit “Adush Muça”.
Gjatë pjesës së parë të sezonit aktual, klubi i Bylisit i zhvilloi një pjesë të madhe të ndeshjeve si pritëse në stadiume neutrale për shkak të punimeve për rinovimin e tapetit që tashmë i ka dhënë një tjetër fytyrë këtij stadiumi. Inspektimet e Federatës Shqiptare të Futbollit do të vazhdojnë në ditët në vijim edhe për klubet që ngjiten nga Kategoria e Dytë në Kategorinë e Parë, konkretisht në stadiumin e Gramshit dhe atë të Korabit në Peshkopi. Në fund të komunikatës theksohet se FSHF nuk do të tolerojë asnjë prej klubeve në plotësimin e kritereve për liçensimin e stadiumeve ku do të luhen ndeshjet e sezonit të ardhshëm.