AlbanianSport.com 19.05.2015 13:45
ASNN – UEFA ka vendosur përsa i përket gjyqtarit që do të drejtojë finalen e Ligës së Kampionëve. Sipas asaj që bën të ditur organizmi që qeveris futbollin kontinental në faqen e tij në Internet, “UEFA.com”, ai do të jetë gjyqtari nga Turqia, Xhunejt Çakër, për të cilin kjo do të jetë finalja e parë e një veprimtarie të tillë prestigjioze.
Ky vendim vjen përkundër faktit që, në të shkuarën, Çakëri është kritikuar shumë për paraqitjen e tij në Ligën e Kampioneve. Këtë sezon, ai ka gjykuar në tri ndeshje të Ligës së Evropës dhe katër në Ligën e Kampioneve. Gjyqtarë më të mirë mendoheshin se ishin të tjerët, sidomos italiani Ricoli.
Ky i fundit ka gjykuar me kompetencë ndeshje vendimtare, por ai është italian dhe nuk mund ta gjykojë një finale ku luan Juventusi. Vendosja e një gjyqtari turk për finalen e Ligës së Kampioneve tregon qartë se UEFA kërkon një hapësirë më të gjerë se Evropa Perëndimore në finalen e kësaj veprimtarie.