AlbanianSport.com 19.05.2015 10:25
ASNN – Vjen si një lloj ngushëllimi, por prapëseprapë mbetet një ogur i mirë. Peshëngritja shqiptare është kthyer me medalje nga pjesëmarrja e saj e fundit në Kupën e San Marinos. Në këtë veprimtari marrin pjesë kombet e vogla të Evropës, të cilat zakonisht nuk ia dalin të spikatin në arenën e veprimtarive madhore, siç janë Kampionatet Evropiane dhe ato Botërorë.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, Emanuel Lushi u shpall sportisti më i mirë i Kupës, ndërsa vendi i tretë i takoi shqiptarit tjetër Bruno Nuha. Lushi realizoi në dygarësh 248 kg, 115 kg në stilin e shkëputjes dhe 133 kg në shtytje, ndërsa Nuha ngriti 96 kg në shkëputje dhe 135 kg në shtytje. Kombëtarja shoqërohej nga trajneri Kreshnik Leka.
Ndërkohë, pak ditë më parë pati ndryshime në forumet drejtuese të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Presidenti i ekipit të Elbasanit, Ilir Topuzi, u zgjodh zëvendëspresident i federatës, pas dorëheqjes së Ilir Kullës nga ky pozicion përpara disa javëve. Pas një mbledhjeje në këtë federatë, u vendos Topuzi në këtë rol shumë të rëndësishëm me një vendim unanim.