Adriatik Balla 19.05.2015 08:45
Pas dorëheqjes së trajnerit Gugash Magani tek Tirana ka kaosdhe pasiguri për të ardhmen, sidomos për lojtarët që u mbaron kontrata në fund të sezonit aktual. Pritet emërimi i trajnerit të ri, por presidenti Refik Halili ka deklaruar se ky proces mund të zgjasë.
Për ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Teutës, skuadrën bardheblu do ta drejtojë Emanuel Egbo. Ndërkohë, presidenti Halili është shprehur se do të mendohet mirë para se të zgjedhë trajnerin e ri. “Të presim përfundimin e këtij sezoni, pasi ka mbetur vetëm një ndeshje”, – u shpreh presidenti i klubit bardheblu.
“Është tepër herët për të vendosur për një trajner të ri, të presim duhet të mendohemi mirë, – ka vijuar Halili. – Kur të përfundojë kampionati do të flas më gjatë, por, deri në atë moment, nuk kam çfarë të them më shumë.” Në fakt, Gugash Magani ka qenë trajneri më jetëgjatë i Tiranës në vitet e fundit, pasi e drejtoi atë për afro dy sezone.
Ai u largua menjëherë pas humbjes 4-1 me Kukësin që vështirësoi akoma më shumë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Trajneri peqinas tha se i vinte turp për atë që ndodhi dhe nuk mund të vazhdonte më. Kandidati më i përfolur për të marrë drejtimin e 24 herë kampionëve të Shqipërisë është Shkëlqim Muça, i cili ka qenë më parë trajner te bardheblutë.