AlbanianSport.com 18.05.2015 15:30
ASNN – Kristjan Sokoli është i lumtur që do të luajë në NFL (Ligën Profesioniste të Futbollit Amerikan). Përtej lumturisë, ai është shumë krenar që do të jetë shqiptari i parë që do të jetë pjesë e kësaj lige dhe të një sporti jo shumë të njohur për shqiptarët, shkruan e përditshmja e mirënjohur kosovare “Koha Ditore”.
23-vjeçari Sokoli u përzgjodh nga ekipi Siatëll Sihouks javë më parë raundin e 6-të të “draftit” të NFL-së për vitin 2015 edhe pse ishte zgjidhja numër 214. Sokoli ende nuk po mundet ta besojë edhe vetë se ka arritur të depërtojë në nivelin më të lartë të ligës profesioniste të futbollit amerikan.
Për këtë arritje falënderon familjen e tij, e cila e ka përkrahur në këtë udhëtim të gjatë. “Disa herë kam kërkuar nëse ka pasur ndonjëherë shqiptarë në NFL, por rezultatet e mia tregojnë se nuk ka pasur asgjë”, – ka deklaruar ai, duke folur të përditshmen në fjalë.
“Fakti që mund të jem shqiptari i parë në NFL më bën të ndihem shumë mirë, – ka vijuar Sokoli. – Jam shumë i lumtur që do të jem në gjendje ta përfaqësoj edhe Shqipërinë dhe shqiptarët në NFL.” Kristjan Sokoli u lind në Shqipëri, përpara se të zhvendosej për në SHBA në moshën 9-vjeçare.
Në shkollën e mesme ka luajtur në disa role mbrojtëse si “mbrojtës fundor”, “markues fundos”, “sfidues i majtë”, “pykë” and “goditës”. Një lojtar tepër atletik, shtatlartë dhe trupmadh, i aftë për të ndalur edhe sulmuesin kryesor të skuadrave kundërshtare. E konsiderojnë një “motor” loje dhe me një dëshirë të madhe për të.