AlbanianSport.com 18.05.2015 07:55
ASNN – Gashi, Xhaka dhe Ajeti janë shpallur “kampionë” të Zvicrës me Bazelin, që e fiton këtë titull për të 18-tën herë. Skuadra e shqiptarëve ka siguruar matematikisht titullin pas barazimit me rivalin direkt Jang Bojs.
Kur kanë mbetur edhe 3 javë për t’u zhvilluar, diferenca mes këtyre dy skuadrave është 11 pikë. Shqiptarët, sidomos Gashi, kanë qenë pjesë kryesore e këtij triumfi dhe tashmë duhet të mendojnë finalen e Kupës me Sionin, më 7 qershor 2015.
Sulmuesi i Kombëtares jo vetëm që ka udhëhequr skuadrën zvicerane drejt këtij titulli, por ka arritur që të jetë edhe pretendenti kryesor për një trofe personal. Gashi kryeson listën e golashënuesve me 21 gola të shënuar.
Sulmuesi i Kombëtares është në garë për të fituar “Këpucën e Artë” për të dytin sezon radhazi. Megjithatë, pak ditë më parë ai ishte shprehur se më i rëndësishëm për të ishte titulli “kampion” dhe jo “Këpuca e Artë”, por tashmë duket se do t’i marrë të dyja.