AlbanianSport.com 17.05.2015 18:10
ASNN – Në Kampionatin Botëror të Taekuondosë për Të Rritur, ku marrin pjesë 148 shtete, pjesë e delegacionit kuqezi ka qenë edhe sportisti Visar Pitushi i Apolonisë, i cili e ka mbyllur sot që në ndeshjen e parë pjesëmarrjen e tij, duke u mundur 7-19 nga sportisti afrikanojugor, Lesego Maponjane. Ndërkaq, dje, sportistja shqiptare, Ada Demneri, nuk arriti të kalojë në turin e 16-shes në Kampionatin Botëror të Taekuondosë, që po mbahet në Çeljabinjsk të Rusisë dhe ku ajo është një nga 3 pjesëmarrëset kuqezi.
Sportistja e “Top Gym Sport”, Demneri, konkurroi në kategorinë së peshës trupore deri në 53 kg. Ndeshja e saj e parë, e vlefshme për turin e 64-shes, ishte përballë domenikanes Disnansi Polanco, ndeshje kjo që u fitua me taekuondistja shqiptare me diskualifikim. Ndeshja e saj e dytë, e vlefshme për turin e 32-shes, ishte përballë kolumbianes Laura Garcia dhe u mbyll me rezultatin e ngushtë 8-9 në favor të amerikanolatines.
Demneri u radhit e 17-ta në kategorinë e peshës së saj trupore, kategoria ku konkurruan 64 sportistë. Në Kampionatin Botëror për Të Rritur, ku marrin pjesë 148 shtete, pjesë e delegacionit kuqezi ishte edhe Egers Aliu i Tiranë, i cili konkurroi në kategorinë së peshës trupore deri në 53 kg. Në fakt, ai ishte i pari që zbriti nga tanët në tapet. Përballë kazakut Almaz Toktomatov, sportisti shqiptar do të humbte me “pikë të artë” (golden point), 11-10, në turin e parë duke e mbyllur pikërisht këtu aventurën e Botërorit rus të Taekuondosë.
Kombëtarja shqiptare shoqërohej në këtë Botëror, njëherësh garë kualifikuese me grumbullim pikësh për Lojërat Olimpike “Rio 2016”, nga trajneri Leo Kapri. Përtej paraqitjes në Çeljabinjsk, lajm i mirë për Federatën Shqiptare të Taekuondosë është edhe ftesa që ka marrë nga ajo Evropiane për sportisten Demneri për të marrë pjesë në Lojërat e Para Olimpike Evropiane, që mbahen në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, nga data 12, deri më 28 qershor 2015.