AlbanianSport.com 17.05.2015 15:25
ASNN – Federata Shqiptare e Mundjes është pjesëmarrëse në turneun ndërkombëtar për të rritur “Olimpia 2015″ që zhvillohet në Pirgos të Greqisë. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Ndriçim Spahiu (i cili shoqëron Kombëtaren në Greqi), ky turne është i rëndësishëm pasi zhvillohet më pak se 1 muaj përpara Lojërave Evropiane “Baku 2015″ dhe do të shërbejë si test për sportistët.
Në këtë turne do të zhvillohet edhe një konferencë shkencore nga Federata Botërore e Mundjes (WWU). Pjesë e delegacionit janë gjyqtarët Besnik Fregja e Gani Gegolli; trajnerët Fuat Brahi e Orges Liçaj dhe sportistët Islam Islamaj (57 kg), Vilson Ndregjoni (70 kg), Qamil Bajrami (74 kg), Eri Iseberi (86 kg), Jurgen Uku (59 kg), Julian Gjelaj (75 kg), Enio Limushaj (80 kg) dhe Alban Neçaj (85 kg).
Pak ditë më parë, tre sportistë të stilit greko- romakë Jurgen Uku (60 kg), Boris Frrokaj (74 kg) dhe Jurgen Vlashi (84 kg), të shoqëruar nga trajneri Liçaj konkurruan në turneun ndërkombëtar për kadetë dhe të rinj në Bukuresht. Sekretari Spahiu tha për gazetat sportive të ditës se kjo veprimtari kishte një nivel të lartë si në anën organizative, ashtu edhe në shtrirjen e vendeve pjesëmarrëse.
“Sportistët pjesëmarrës në këtë turne vijnë nga Rumania, Greqia, Kroacia, Turqia, Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Sllovakia, Rusia, Franca, Polonia dhe Izraeli, – theksoi Spahiu. – Sportistët bënë një paraqitje dinjitoze duke zhvilluar ndeshje me cilësi teknike të larta dhe në fund Uku dhe Boris Frrokaj u renditën të 5-tët për kategoritë përkatëse.”