AlbanianSport.com 17.05.2015 09:55
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze kontinentale e klubeve të basketbollit, Euroliga, do të luajë sonte aktin e fundit të rrugëtimit të saj final drejt trofeut, që do t’i dorëzohet në mbreëmje skuadrës fituese. Sikundër ka ndodhur gjatë gjitë këtij sezoni, edhe kjo sfidë e fundit, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në këtë 4-she finalen, që i luajti ndeshjet e saj në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, CSKA-ja e Moskës u mund të premten nga Olimpiakosi i Pireut, me grekët që fituan me vetëm dy pikë epërsi, 70-68. Tre orë më vonë, ishte radha e skuadrës vendase, Realit të Madridit, që të priste biletën e dytë të finales, pasi mposhti pa shumë vështirësi, 96-87, skuadrën turke të Fenerbahçes.
Emocionet e këtyre dy sfidave u sollën drejtpërsëdrejti në Rrjetin e RTSH-së, që do të sjellë emocione të tjera sonte, me finalen e madhe, që do të luhet duke nisur nga ora 20:00. Ndërsa më herët, duke nisur nga ora 17:00, do të zhvillohet dueli për vendin e tretë dhe të katërt.