Adriatik Balla 16.05.2015 23:40
Në kuadër të kampionatit zviceran të Futbollit, kur kanë mbetur dhe katër javë nga fundi, Shkëlzen Gashi është në formë dhe po përpiqet të ndihmojë skuadrën të dalë kampione dhe pak e ka vëmendjen tek “Këpuca e Artë” e kampionatit. Ai ka rrëfyer për të përditshmen e njohur zvicerane “Blick” se për të ka shumë rëndësi titulli “kampion” dhe jo çmimi i golashënuesit më të mirë.
Ai ka vlerësuar rivalin tij për çmimin e “Këpucës së Artë” në Zvicër, Gijom Horo’, por ka shtuar se më shumë preferon titullin “kampion” sesa çmimin e golashënuesit. Bazeli do të presë të dielën ekipin e vendit të dytë Jang Bojs dhe, një rezultat pozitiv i skuadrës vendase do të mbyllte përfundimit çështjen e titullit. Te Bazeli luajnë disa futbollistë të Kombëtares kuqezi, midis tyre edhe shënuesi më i mirë në Superligën e Zvicrës, Shkëlzen Gashi.
“Nëse Horo’ do të më kalojë në renditjen e golashënuesve, do ta uroj atë, – ka thënë Shkëlzen Gashi për gazetën zvicerane “Blick”. – Unë preferoj titullin “kampion” më shumë se Këpucën e Artë. Trofeu i kampionatit ka më shumë rëndësi për mua.” 26-vjeçari është në kuotën e 21 golave në kampionat, ndërsa Gijom Horo’ ka 4 gola më pak kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur.