AlbanianSport.com 04.10.2014 10:20
ASNN – Në përfundim të stërvitjes së djeshme, duke folur për mediat, trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli do të deklaronte: “Është takimi i dytë që zhvillojmë në fushën tonë në kampionat, ndërsa kam përgatitur një skuadër, e cila duhet ta nxjerrë me sukses sfidën me Sopotin. Nuk dua të merrem më me të shkuarën, pasi ajo humbje aksidentale ndaj Dinamos është hedhur pas krahëve dhe them se i përket të shkuarës. Tani kam parë vetëm përpara, pasi kam zhvilluar një seancë të mirë me futbollistët.”
“Madje duke marrë parasysh dhe atë fitore në mesjavë në Kupën e Shqipërisë ndaj Bylisit, atëherë mendoj se ata do të jenë më të karikuar dhe do të futen në fushën e lojës me idenë për të shpalosur më mirë vlerat e tyre, – ka vijuar ai. – Pra nëse bëjnë të njëjtën ndeshje të mirë si me Bylisin, atëherë jam optimist për të kërkuar të njëjtin rezultat dhe sot nga grupi i futbollistëve. Sigurisht që nuk do të jetë një sfidë e lehtë, por nëse lojtarët e mi do t’i zbatojnë me përpikmëri detyrat e dhëna, atëherë s’ka dyshim që do ta marrin fitoren me Sopotin.”
“Është e qartë se në një ndeshje futbolli janë në lojë të tria rezultatet, por objektivi jonë është për ta fituar dhe kam besim se nuk do të zhgënjehemi nga ata futbollistë që do jenë në fushën e lojës, – ka theksuar ish-lojtari i disa skuadrave në futbollin shqiptar, tashmë në rolin e trajnerit. – Edhe në fytyrat e futbollistëve shikoj një optimizëm se do të dinë të nxjerrin lojën që unë kërkoj dhe për këtë jam i bindur. Dua të bëj një thirrje në veçanti sportdashësve gjirokastritë që të jenë sa më të shumtë në shkallët e stadiumit.”
“Kjo sepse, me ndihmën e tyre do të dimë të dalim tëk suksesi. Uroj të kemi fatin me vete, pasi në futboll po nuk pate pak fat nuk ka realizim objektivi. Unë jam i bindur për ato që kam thënë dhe do të mundohem që të realizoj çdo synim që i vendos vetes si trajner për skuadrën që drejtoj”, – ka përfunduar trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli.