AlbanianSport.com 16.05.2015 12:25
ASNN – Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, nuk do të garojë në Baku. Por kampionia e botës në xhudo do të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës që do të paraqitet në Lojërat e para Evropiane, që mbahen nga 12 deri më 28 qershor 2015 në kryeqytetin e Azerbajxhanit.
Madje 24-vjeçarja do të jetë në krye të delegacionit, shkruante dje e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore” e Prishtinës. Kelmendi ka pësuar dëmtim, por trajneri i saj Driton Kuka nuk e ka bërë gjendjen alarmante dhe deri vitin e ardhshëm me siguri që ajo do të jetë rikuperuar plotësisht.
Majlinda Kelmendi dhe është një nga pikat e forta të Kosovës për një medalje të mundshme olimpike. Madje Kelmendi ka më shumë shanse në Olimpiadë se çdo sportist tjetër shqiptar. Mbetet për t’u parë nëse Komiteti Olimpik Evropian (EOC) do ta lejojë një sportiste jogaruese të mbajë flamurin e vendit të saj.