AlbanianSport.com 15.05.2015 21:55
ASNN – Mesfushori kosovar Adnan Januzaj nuk pritet të lëvizë gjatë verës nga skuadra e Mançester Junajtid. Trajneri i “Djajve të kuq”, Luis Van Gal, duket se ka ndryshuar mendjen. Ai nuk do ta lërë të lirë mesfushorin kosovar, Adnan Januzajn, pasi në “Olld Traford”, djaloshi me prejardhje nga Istogu shihet si e ardhmja e klubit.
“Nuk ka qenë vit i artë për mesfushorin e Belgjikës, por do të shërbejë si përvojë që të punojë më shumë për sezonin e ardhshëm. Do të ishte qesharake nëse lëviz në këtë fazë të hershme të karrierës së tij. Qesharak do të ishte edhe Mançester Junajtid nëse do ta linte të lirë”, – shkruan “esobfc.com”.
Këtë edicion, me ekipin e parë të gjigantes angleze, 20-vjeçari Januzaj ka zhvilluar 17 paraqitje, kryesisht duke u futur në lojë nga stoli. Mediat angleze kanë raportuar kohët e fundit se Januzaj mund të largohet nga Mançester Junajtid në drejtim të ndonjë skuadre tjetër më e vogël për të fituar përvojë. Me klubin anglez, ai ka një kontratë deri në qershor të vitit 2018.