Gjergj Vyshka 04.10.2014 08:20
Dinamovitët janë gati për përballjen, atje ku synojnë fitoren dhe ruajtjen e kryesimit. Trajner: “Cilësia jo e mirë e fushës, por dhe mbyllja e kundërshtarit prapa vështirësojnë objektivin”. Dinamo u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve të veta, ndërsa tashmë është gati për ndeshjen e dytë të kampionatit, atë ndaj Naftëtarit në “Selman Stërmasi”. Nisur nga fakti që blutë kanë fituar në javën e parë të kampionatit 2-0, në vizitën e vështirë të Gjirokastrës, Mehmeti duket se ka vendosur të mos e ndryshojë formacionin fitues. Që do të thotë se Dinamo do të jetë me të njëjtën vendosje 4-4-2.
Sa u përket emrave, ata janë: Lamellari – Tragaj, Rexhepi, Thana, Duqi – Tafaj, Capa, Muça, Ferraj – Arifaj, Turdiu. Sigurisht që në stolin e rezervave do të jenë ato që janë dalluar më së shumti në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Apolonisë, çka do të thotë Guga, Imami, Xhafa, Shkalla, Mezini, Sorra. Sepse një pjesë tjetër e lojtarëve, që formojnë ekipin e plotë të Dinamos, edhe me atë paraqitje zhgënjyese që bënë ndaj Apolonisë, duket se nuk përmbushin jo vetëm kërkesat e trajnerit Mehmeti, por nuk meritojnë të veshin fanellën blu.
Përtej kësaj, Mehmeti e konsideron të vështirën përballjen me Naftëtarin, skuadër të cilën nuk e njeh, pavarësisht se vite më parë ajo ka qenë pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Madje është ndër ato skuadra, e cila gjithnjë ka qenë si “macja” me “miun” me Dinamos, kur kulmi i ballafaqimeve të tyre shënon atë të qershorit 1988, teksa luhej për mbijetesë në Kategorinë e Parë.