AlbanianSport.com 15.05.2015 12:25
ASNN – Një dëmtim në këmbë e ka detyruar atletin shkodran, Izmir Smajli të ndërpresë stërvitjen që po kryente në Kinë. Kjo ishte mundësuar nga bursa e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, por që Smajli nuk ka mundur ta përfundojë gjithë periudhën e përcaktuar për stërvitjen e specializuar, ndaj është kthyer më herët në Shqipëri.
Kështu, atleti i talentuar shkodran Izmir Smajli ka mbyllur përfundimisht aventurën e tij stërvitore disamujore në Kinën e largët. Falë bursës së akorduar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ai duhej të kryente një stërvitje të specializuar për garën e tij, kërcimin së gjati.
Por një dëmtim që ka pësuar në seancat stërvitore në Pekin, Smajli nuk ka mundur ta përfundojë gjithë kohën e përcaktuar, ndaj është rikthyer në Shqipëri për t’u vënë në dispozicion të trajnerit të tij personal Vildan Tufi. Nën drejtimin e trajnerit Tufi, Smajli po vazhdon stërvitjen në hapësirat e mbetura të stadiumit “Loro Boriçi”. Ata po përgatiten për garat e kampionatit kombëtar, veprimtaria më e rëndësishëm e vitit.