AlbanianSport.com 15.05.2015 08:40
ASNN – Duket se është zgjidhur edhe ngërçi që bllokoi përkohësisht vazhdimin e punimeve në Shkodër, pasi është dhënë garancia që asnjë shtëpi banimi nuk do të prishet rreth e qark stadiumit “Loro Boriçi”, për shkak të projektit që ka nisur për rikonstruksionin e këtij impianti.
Menjëherë pas reagimit dhe revoltës së banorëve të këtyre shtëpive, pas disa piketave të vendosura ngjitur me muret rrethuese të shtëpive të tyre, ka pasur reagim të të gjithë instancave shtetërore. Prefekti i Qarkut Shkodër, Paulin Radovani, u kërkoi banorëve që të jenë të qetë dhe të bëjnë durim e po ashtu të mos bllokojnë më punimet, sepse shtëpitë e tyre nuk do të prishen.
Sipas prefektit, është e panevojshme që të demonstrohet me revoltë apo protesta nga banorët. “Stadiumi do të ndërtohet ashtu siç është vendosur dhe ky është një fakt që do të bëhet realitet, – deklaroi ai. – Ndaj, mendoj që banorët duhet të na lënë që të punojmë qetësisht duke mbrojtur edhe interesat e tyre. Ne bëmë aq sa kishim mundësi për të shpëtuar sa më shumë shtëpi banimi.”
Gazetarët e pranishëm kanë pyetur se cila është arsyeja e vendosjes së piketave ngjitur me muret rrethuese të shtëpive, çka për banorët nënkuptonte se aty do të ishte fundi i tribunës qendrore dhe për pasojë nënkuptonte për ta edhe prishjen e banesave për të krijuar hapësira për rrugë dhe parking. Për këtë, autoritetet e pranishme u përgjigjën duke thënë se piketat janë çështje e firmës dhe punë teknike.
Vendosja e piketave, sipas përfaqësuesve të pranishëm në mbledhje, nuk ka të bëjë me vendin se ku përfundon tribuna qendrore. Sipas tyre, do zbatohet projekti i fillimit për të cilin është rënë dakord, ku nga oborri më i afërt rruga do të jetë afro 6 metër larg. Diçka e tillë tregon se shtëpitë e banimit nuk do prishen, por vetëm mund t’ju merret deri në 1 metër në oborr dhe asgjë më shumë.