Adriatik Balla 15.05.2015 07:10
Ende pa u mbyllur mirë sezoni, Partizani pëson firon e parë, madje i largohet një nga shtyllat kryesore të skuadrës dhe njëri prej lojtarëve më të mirë në kampionatin tonë, mbrojtësi Amir Rrahmani. Kosovari ka marrë ofertë nga RNK Spliti dhe nuk ka humbur kohë, duke u bërë pjesë e klubit kroat, madje duke rënë dakord që të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare me ekipin e Splitit. Ka qenë trajneri i kësaj skuadre, Zoran Vuliç, i cili ka kërkuar shërbimet e futbollistit shqiptar.
Kjo skuadër e ka kërkuar Rrahmanin edhe në merkaton e janarit, por në atë periudhë Partizani nuk e la të lirë, me justifikimin se ishte i rëndësishëm për objektivat e skuadrës në kampionat. Tani që sezoni është mbyllur, Rrahmani po largohet nga të kuqtë me parametra zero, që do të thotë se klubi i Partizanit nuk fiton asgjë nga kjo lëvizje, pasi futbollistit i mbaron kontrata në fund të këtij sezoni. Ndryshe nga Sokol Cikalleshi, që u bë pjesë e kësaj skuadre pasi Kukësi mori 150 mijë euro dëmshpërblim, për Rrahmanin nuk fitohet asgjë.
Por në këtë prizëm fiton vetë futbollisti, i cili do të ketë mundësinë të rrisë lojën e tij. Një lëvizje e tillë drejt kampionatit kroat është dhe një mundësi e mirë për mbrojtësin që të rrisë cilësinë dhe të jetë një nga kandidaturat e zgjedhura të trajnerit Xhovani De Biazi për në Kombëtare, ku Rrahmani nuk është aktivizuar në ndeshjet zyrtare. Ai ka luajtur më herët me Nën-21-vjeçarët të Shqipërisë dhe për shkak të cilës së lojës së tij është ftuar dhe nga De Biazi në disa grumbullime.
Shihet si një mbrojtës me të ardhme në radhët e Kombëtares, për shkak të moshës së re dhe është një futbollist që mund të luajë edhe në klube të mëdha. Kalimi tek RNK Split mund të jetë si një trampolinë për një klub tjetër të madh. Tek kjo skuadër do të gjejë sulmuesin Sokol Cikalleshi, duke e bërë RNK Splitin një ekip që flet edhe shqip. Ndërkohë, në kampionat Rrahmani është aktivizuar në 32 ndeshje, pra një nga lojtarët që ka luajtur më shumë takime në radhët e të kuqve por edhe në kampionat, duke shënuar madje edhe tre gola.
Mbetet të shihet se si do të jetë ecuria e tij në ekipin e ri dhe çfarë pritshmërishë ka për mbrojtësin tonë kuqezi. Fakti që kroatët kishin kohë që e ndiqnin dhe e kërkonin, tregon se ai ka potencial të madh dhe mund të bëjë diferencë në grup. Mundet që RNK Spolit ta kërkojë Rrahmanin për ta shumëfishuar në merkato, pasi dihet që lojtarët e kampionatit elitar kroat shiten në kampionate më të forta jo më pak se 250-300 mijë euro.
Rrahmani ka kështu një mundësi të artë për të shpërthyer dhe për t’i dhënë karrierës së tij një impuls të ri, një shans që mund ta drejtojë atë drejt një suksesi të ri. Paraqitja e bërë me Partizanin në këtë sezon është një CV interesante për futbollistin, i cili në pozicionin e tij ka qenë një nga më të mirët në Kategorinë Superiore, vlerësuar maksimalisht edhe nga trajneri i Kombëtares Xhovani de Biazi.