AlbanianSport.com 14.05.2015 18:40
Mundja përfaqësohet në Evropianin e Bakusë (Azerbajxhan) me sportistin më të mirë të saj, Egzon Shala, i cili shpreson të marrë medalje dhe të sigurojë normën që i lejon pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Verore të vitit të ardhshëm që zhvillohen në Rio de Zhaneiro të Brazilit. Trajneri i Shalës, Sahit Prizreni, beson se kosovari do t’i sigurojë Shqipërisë medalje olimpike vitin e ardhshëm dhe e sheh sportistin tij si një nga më të mundshmit për ta realizuar këtë mision.
“Mund të them që jemi me fat që Egzoni garon për Shqipërinë, ai është e ardhmja dhe jam i bindur se jo vetëm do të sigurojë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, por do të marrë atje edhe medalje, diçka që nuk e realizova vetë për Shqipërinë”, – tha Prizreni, i cili falënderoi mbështetësit e sportistit të tij në këtë rrugëtim të rëndësishëm sportiv. “Falënderoj “Digitalb” që bëri të mundur që Egzoni të stërvitet në kampet më të mira të Evropës duke qenë se jemi në një periudhë të ngjeshur veprimtarish.”
“Ftoj të gjitha bizneset private të mbështesin sportistët e elitës”, – shtoi Prizreni. Sipas tij, Egzon Shala do të marrë pjesë në Lojërat e Para Evropiane, që do të zhvillohen në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ku synimi është kthimi në Shqipëri me medalje.