AlbanianSport.com 14.05.2015 10:10
ASNN – Futbolli italian rikthehet pas 12 vjetësh në finalen e veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës, pasi Juventusi ka eliminuar Realin e Madridit, duke siguruar vendin në duelin e madh të 6 qershorit. Italianët ia kanë dalë ta mbrojnë atë fitore 2-1 të arritur para një jave në Torino, duke marrë të mërkurën në mbrëmje një barazim 1-1 në “Santiago Bernabeu”.
Finalja e madhe e Ligës së Kampioneve, që do të luhet më 6 qershor 2015, në “Olimpiastadion” të Berlinit, është ajo midis Juventusit dhe Barcelonës. Ekipi Italian mposhti mbrëmë në “Santiago Bernabeu” 11-shen e bashkatdhetarit Ançeloti, duke shuar shpresat e tyre për një derbi spanjoll. Bardhezinjtë arrijnë të barazojnë në “Santiago Bernabeu” ndaj Realit të Madridit duke siguruar biletën për Berlin.
Në fakt, janë madrilenët ata që kalojnë të parët në epërsi në minutën e 23-të me anë të Ronaldos. Gjyqtari akordon një 11-metërsh për vendasit, pas një faulli të shkaktuar nga Kelini ndaj Rodrigez. Është sulmuesi portugez që merr përsipër ta shndërrojë në gol, duke mos gabuar dhe duke e kaluar skuadrën në epërsi. Në pjesën e dytë të takimit, skuadra e Alegrit rikthehet me gol, duke barazuar shifrat në minutën e 57-të me anë të spanjollit Morata.
Madrilenët përpiqen të shënojnë duke krijuar aksione sulmi të njëpasnjëshme por pa rezultat. Nuk i kanë mjaftuar as minutat shtesë, juventinët shkojnë në finale. Kampionët e Italisë rikthehen kështu pas 12 vitesh në finalen e Ligës së Kampioneve.